Skip Links

News Item

Prezenca e OSBE-së dhe Kuvendi i Shqipërisë vlerësojnë arritjet e përbashkëta në modernizimin e shërbimeve parlamentare

Issued on:
Lëshuar nga:
OSCE Presence in Albania
Fields of work:
Demokratizimi

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, u takuan sot për të diskutuar progresin në reformën parlamentare dhe modernizimin e shërbimeve të Kuvendit.

Gjatë viteve, Prezenca e OSBE-së e ka mbështetur Kuvendin në një sërë fushash, përfshirë hartimin e dokumenteve strategjike, si Plani i parë Strategjik i Kuvendit 2021-2025 dhe Plani i dytë Strategjik 2026–2030, i miratuar së fundmi. Ajo ka luajtur, gjithashtu, rol të rëndësishëm në afrimin e parlamentit me qytetarët, përmes mbledhjeve të hapura dhe gjithëpërfshirëse të komisioneve në qarqe, angazhimit me aktorët vendorë dhe transmetimit të drejtpërdrejtë të mbledhjeve të komisioneve në internet.

Një nga temat kryesore të takimit ishte progresi në zbatimin e procesit të legjislacionit elektronik (e-Legjislacioni), i mbështetur nga Prezenca e OSBE-së me financim nga Zvicra dhe Norvegjia. Nisma çoi në krijimin e portalit e-Legjislacioni, në vitin 2025, i cili përmban deri më tani më shumë se 750 dokumente, përfshirë mbi 230 ligje plotësisht të konsoliduara.

Ambasadori Tarran e cilësoi reformën si një moment të rëndësishëm në zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe në transformimin novator të procesit ligjbërës. Ai vlerësoi rolin e Sekretarit të Përgjithshëm në drejtimin e shërbimeve administrative të Kuvendit dhe në sigurimin e qëndrueshmërisë së arritjeve institucionale, përfshirë krijimin e njësisë së posaçme për legjislacionin elektronik dhe dixhitalizimin, dhe, në veçanti, për sigurimin e buxhetit dhe të burimeve për vazhdimësinë e këtij procesi.

"Jemi krenarë që e kemi OSBE-në partnere strategjike", tha Sekretari i Përgjithshëm Gjonçaj. "Gjithçka që kemi arritur në Kuvend e kemi arritur së bashku. Shpresojmë që mbështetja e OSBE-së të vazhdojë edhe në të ardhmen", shtoi ai.

Ambasadori Tarran dhe Sekretari i Përgjithshëm Gjonçaj vizituan njësinë e legjislacionit elektronik, si edhe arkivën dhe bibliotekën e Kuvendit, të cilat janë mbështetur nga OSBE-ja me fonde holandeze në të kaluarën. Ata u ndalën, gjithashtu, në Punishten e Demokracisë, një program edukimi qytetar për fëmijë, ku bashkëbiseduan me pjesëmarrësit e vegjël dhe iu përgjigjën pyetjeve të tyre.


Contacts

Joana Karapataqi

National Public Affairs and Reporting Officer

OSCE Presence in Albania

Office of Head of Presence

Mak Albania Hotel, 1st Floor
Sheshi "Italia"
Tirana
Albania