Skip Links

News Item

OSBE-ja dhe Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë nisin fushatën ndërgjegjësuese në rrjetet sociale për parandalimin e përfshirjes së të rinjve në krim

Issued on:
Lëshuar nga:
OSCE Presence in Albania, OSCE Secretariat

Si pjesë e përpjekjeve për të parandaluar rekrutimin e të rinjve në krim, Sekretariati i OSBE-së dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë dhe Qendrën e saj për Parandalimin e Kriminalitetit të të Miturve dhe të Rinjve, nisën një fushatë ndërgjegjësuese në rrjetet sociale për parandalimin e krimit te të rinjtë.

Fushata “S’ka Shkurt / No Shortcuts”, e nisur në Tiranë, më 24 shkurt, i përgjigjet rritjes së rekrutimit të të rinjve në veprimtari kriminale, duke kundërshtuar narrativat e rreme dhe duke promovuar alternativa pozitive përmes rrjeteve sociale.

Veprimtaria hapëse mblodhi praktikues të vijës së parë të zbatimit të ligjit, shërbimet sociale dhe shoqërinë civile, politikëbërës si dhe vetë të rinjtë, për të prezantuar fushatën dhe materialet e saj video, duke u dhënë mundësinë personave të përfshirë të përcjellin mesazhet kryesore dhe mësimet e nxjerra. Takimi shërbeu edhe si një platformë për dialog dhe shkëmbim ndërmjet të rinjve, praktikuesve të vijës së parë dhe politikëbërësve.

S’ka Shkurt nuk është vetëm një hashtag a as thjesht një slogan. Është një mesazh i qartë për të rinjtë tanë, se suksesi nuk fitohet me rrugë të shkurtra, por me përkushtim, punë dhe integritet”, tha Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë i Shqipërisë.

“Fillimi i fushatës shënon një hap të rëndësishëm drejt riformësimit të narrativave online, duke fuqizuar të rinjtë, duke përforcuar zërin e tyre dhe duke ofruar alternativa të besueshme dhe pozitive ndaj krimit”, tha Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Fushata pasqyron realitetet dhe rreziqet e përfshirjes në kriminalitet, duke qenë se rrjetet sociale shpesh përdoren për të joshur të rinjtë përmes glorifikimit të krimit, normalizimit të dhunës dhe shitjes së premtimeve të rreme për pushtet, përkatësi, para të shpejta dhe luks.

Ajo përfshin histori nga persona me përvojë reale jetësore, të cilët kanë jetuar realitetin e krimit dhe kanë zgjedhur një rrugë tjetër. Fushata përfshin gjithashtu figura publike si Luiza Gega, Visjan Ukcenaj dhe Aulona Musta, duke treguar se suksesi arrihet përmes punës së palodhur, jo përmes rrugëve të shkurtra. Në këtë mënyrë, fushata synon të ofrojë modele pozitive dhe rrugë alternative ndaj krimit.

Fushata u organizua në kuadër të projektit jashtëbuxhetor të OSBE-së “Fuqizimi i parandalimit të krimit dhe përdorimit të drogës te të rinjtë përmes edukimit mbi ligjshmërinë dhe fushatave ndërgjegjësuese që adresojnë kërcënimet e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, financuar nga Italia, me mbështetje shtesë nga Andorra, Finlanda, Gjermania, Norvegjia, Polonia dhe Tajlanda.


Contacts

Joana Karapataqi

National Public Affairs and Reporting Officer

OSCE Presence in Albania

Office of Head of Presence

Mak Albania Hotel, 1st Floor
Sheshi "Italia"
Tirana
Albania