News Item
Prezenca e OSBE-së prezanton gjetjet dhe rekomandimet për të drejtat e të moshuarve në Shqipëri
- Issued on:
- Lëshuar nga:
- OSCE Presence in Albania
- Fields of work:
- Të drejtat e njeriut, Toleranca dhe mosdiskriminimi
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezantoi sot gjetjet dhe rekomandimet e vlerësimit të saj mbi të drejtat e njeriut të personave të moshuar, me fokus në aksesin në shërbime dhe ndikimin e digjitalizimit.
Vlerësimi, i realizuar nga shtatori 2024 deri në nëntor 2025, shqyrtoi aksesin e të moshuarve në shërbimet sociale dhe ndikimin e mjeteve dixhitale në të drejtat e tyre. Ai u mbështet në vizita në terren, konsultime, vëzhgime të drejtpërdrejta dhe diskutime me autoritetet vendore dhe shoqërinë civile, në të 12 qarqet e Shqipërisë. Raporti thekson prirjet kryesore, sfidat dhe rekomandimet për forcimin e zbatimit të politikave, ofrimit të shërbimeve, përfshirjes dixhitale dhe bashkërendimit institucional.
“Me gati 20 për qind të popullsisë të moshës 65 vjeç e lart dhe me gratë e moshuara që përbëjnë shumicën, është thelbësore të sigurohet që politikat publike dhe shërbimet t’u përgjigjen në mënyrë efektive të drejtave dhe nevojave në rritje të kësaj kategorie demografike”, tha ambasadori Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së, në hapje të takimit. “Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në krijimin e kuadrit ligjor dhe të politikave për të drejtat e të moshuarve. Megjithatë, nevojiten përpjekje të vazhdueshme dhe të bashkërenduara për të ngushtuar hendekun midis politikave dhe praktikës”, shtoi ai.
Veprimtaria mblodhi aktorë kyç nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut, Ndihma Juridike Falas dhe shoqëria civile, për të diskutuar gjetjet dhe për të eksploruar mënyra për mbrojtjen më të mirë të të drejtave të personave të moshuar në Shqipëri. Përfaqësues të këtyre institucioneve, si edhe Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, folën në veprimtari.
Prezantimi shërben si pikënisje për dialog, monitorim të vazhdueshëm dhe veprim të përbashkët për të mbështetur mirëqenien e të moshuarve në të gjithë vendin.