Skip Links

News Item

Prezenca e OSBE-së dhe Inspektorati Shtetëror i Punës nisin fushatën për të drejtat e punëtorëve në Shqipëri

Issued on:
Lëshuar nga:
OSCE Presence in Albania
Fields of work:
Të drejtat e njeriut, Lufta kundër trafikimit të personave

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Punës, ka nisur një fushatë ndërgjegjësuese për të forcuar mekanizmat e mbrojtjes në vendin e punës dhe për të ndihmuar në parandalimin e abuzimit dhe të shfrytëzimit në punë, me fokus të veçantë te punëtorët e huaj.

“Fushata i përgjigjet profilit në zhvillim të tregut të punës në Shqipëri, ku numri i punëtorëve të huaj është rritur në vitet e fundit. Kjo e bën edhe më të rëndësishme njohjen me të drejtat e punës, mekanizmat e mbrojtjes dhe shërbimet mbështetëse të disponueshme”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran, në një takim me Kryeinspektorin e Punës Eljo Muçaj, më 26 qershor 2026, që shënoi nisjen e fushatës.

Fushata zhvillohet përmes kanaleve të komunikimit të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe të Prezencës së OSBE-së. Ajo ofron informacion praktik për t’i ndihmuar punëtorët të kuptojnë më mirë të drejtat e tyre, të kenë qasje në informacion mbi sigurinë dhe shëndetin në punë dhe të mësojnë si të përdorin mekanizmat e ankesave dhe shërbimet mbështetëse institucionale. Fushata, gjithashtu, thekson rolin thelbësor të inspektorëve të punës në garantimin e zbatimit të legjislacionit të punës, promovimin e kushteve të sigurta dhe të drejta të punës dhe identifikimin e situatave të abuzimit dhe shfrytëzimit të punës, përfshirë rastet që mund të përbëjnë trafikim të qenieve njerëzore.

Fushata zhvillohet në kuadër të projektit të Prezencës së OSBE-së kundër trafikimit të qenieve njerëzore, të financuar nga Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Irlanda dhe Italia. Ajo është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Prezencës për të forcuar përgjigjen e Shqipërisë ndaj shfrytëzimit në punë dhe trafikimit të qenieve njerëzore përmes parandalimit, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe rritjes së ndërgjegjësimit publik.


Contacts

Joana Karapataqi

National Public Affairs and Reporting Officer

OSCE Presence in Albania

Office of Head of Presence

Mak Albania Hotel, 1st Floor
Sheshi "Italia"
Tirana
Albania