News Item
Prezenca e OSBE-së trajnon prokurorët dhe oficerët e policisë mbi hetimin trafikimit të qenieve njerëzore të lehtësuar nga teknologjia
- Issued on:
- Lëshuar nga:
- OSCE Presence in Albania
- Fields of work:
- Lufta kundër trafikimit të personave
Për të adresuar rritjen e trafikimit të qenieve njerëzore të lehtësuar nga teknologjia, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një trajnim dyditor për prokurorë, punonjës policie dhe punonjës socialë të strehëzave, më 8 dhe 9 prill 2026. Veprimtaria synoi të forcojë kapacitetet institucionale për hetimin e rasteve të trafikimit që përfshijnë një dimension dixhital dhe për të siguruar një qasje të përqendruar te viktima.
Programi trajtoi mënyrat se si teknologjitë dixhitale po përdoren gjithnjë e më shumë për rekrutimin, kontrollin dhe shfrytëzimin e viktimave, si dhe prezantoi mjete praktike hetimore për adresimin e këtyre zhvillimeve. Pjesëmarrësit analizuan modelet e rekrutimit online dhe indikatorët e trafikimit, përdorimin e mjeteve të hetimit me burime të hapura dhe provave digjitale, si dhe hetimet financiare dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në rastet e trafikimit.
Ekspertë ndërkombëtarë me përvojë të gjerë në hetimin e trafikimit të qenieve njerëzore, mbledhjen e provave dhe përdorimin e metodave të hetimit me burime të hapura kontribuuan me perspektiva operacionale dhe analiza të bazuara në raste konkrete. Gjatë trajnimit u prezantuan edhe elemente nga praktika hetimore e policisë së Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore. Përmes ushtrimeve simuluese, pjesëmarrësit aplikuan në praktikë mjete të hetimit me burime të hapura, të ndërthurura me analizën ligjore, planifikimin e hetimit dhe qasjen e përqendruar te viktima.
Ky trajnim mbështetet në punën afatgjatë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore përmes formateve praktike të trajnimit të bazuara në simulime dhe qasjen “mësim nëpërmjet përvojës”, të cilat forcojnë bashkëpunimin ndërmjet policisë, prokurorisë dhe strukturave të mbrojtjes sociale. Ushtrime të ngjashme u kanë mundësuar profesionistëve të praktikojnë hetime të bashkërenduara dhe intervistimin e viktimave në skenarë realistë si edhe t’i integrojnë këto qasje në punën e tyre të përditshme.
Trajnimi u organizua si pjesë e veprimtarive të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për mbështetjen e institucioneve në hetimin dhe ndjekjen penale të trafikimit të qenieve njerëzore, me mbështetjen e qeverive të Mbretërisë së Bashkuar, Norvegjisë, Italisë dhe Irlandës.