News Item

Prezenca e OSBE-së mbështet profesionistët e drejtësisë në Shqipëri në forcimin e aftësive për kërkimin ligjor, shkrimin dhe arsyetimin ligjor

Issued on:
Lëshuar nga:
OSCE Presence in Albania
Fields of work:
Sundimi i ligjit

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, organizoi një trajnim të specializuar dyditor për profesionistët e drejtësisë, me fokus kërkimin ligjor, shkrimin dhe arsyetimin ligjor, më 6-7 tetor 2026.

Në trajnim morën pjesë rreth 25 këshilltarë ligjorë, ndihmës ligjorë dhe sekretarë gjyqësorë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Gjykata e Posaçme e Apelit, Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjykata Administrative dhe Gjykata Administrative e Apelit.

Trajnimi synoi forcimin e aftësive profesionale të pjesëmarrësve për kryerjen e kërkimit dhe analizës së thelluar ligjore, si edhe për hartimin e dokumenteve ligjore të qarta, koherente dhe të argumentuara mirë. Këto aftësi kontribuojnë në cilësinë, transparencën dhe efektivitetin e punës në sistemin gjyqësor.

Pjesëmarrësit trajtuan parimet kryesore të kërkimit dhe arsyetimit ligjor, si dhe qasje bashkëkohore për hartimin e dokumenteve ligjore, duke përfshirë përdorimin e terminologjisë së saktë ligjore dhe të një stili të qartë e profesional të të shkruarit. 

Sesionet ndërvepruese, ushtrimet praktike dhe diskutimet në grup nxitën të nxënit aktiv dhe shkëmbimin e përvojave mes kolegëve. Katër ekspertë të nivelit të lartë, dy vendas dhe dy ndërkombëtarë, udhëhoqën studime rastesh dhe diskutime të bazuara në shembuj konkretë, me rëndësi për punën e përditshme të pjesëmarrësve. 

Kjo qasje u mundësoi pjesëmarrësve të zbatonin konceptet dhe teknikat e trajtuara gjatë trajnimit në detyra konkrete ligjore.

Trajnimi është pjesë e mbështetjes së vijueshme të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për përpjekjet e vendit në kuadër të reformës në drejtësi, me fokus forcimin e kapaciteteve profesionale dhe kontributin në rritjen e integritetit, efikasitetit dhe transparencës në institucionet gjyqësore.


Contacts

Joana Karapataqi

National Public Affairs and Reporting Officer

OSCE Presence in Albania

Office of Head of Presence

Mak Albania Hotel, 1st Floor
Sheshi "Italia"
Tirana
Albania