News Item
Bashkitë shkëmbejnë përvojë dhe zgjidhje praktike përmes nismës të Prezencës së OSBE-së
- Issued on:
- Lëshuar nga:
- OSCE Presence in Albania
- Fields of work:
- Mirëqeverisja
Njëzet e pesë përfaqësues nga bashkitë Berat, Lushnjë, Dibër dhe Memaliaj u mblodhën në Lushnjë dhe Berat, më 17 dhe 18 qershor 2026, për të shkëmbyer përvoja dhe për të shqyrtuar përgjigje praktike ndaj sfidave vendore në fushën e mjedisit dhe zhvillimit.
Vizita studimore ishte pjesë e nismës së shkëmbimit mes bashkive të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ku Lushnja dhe Berati veprojnë si bashki mentore përkatësisht për Memaliajn dhe Dibrën. Këto binjakëzime u krijuan përmes një thirrjeje të hapur dhe një procesi të strukturuar vlerësimi, që mori në konsideratë si kapacitetet institucionale ashtu edhe përputhshmërinë ndërmjet nevojave vendore dhe praktikave që mund të transferohen.
Në hapje të takimit në Lushnjë, ambasadori Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi rëndësinë e të mësuarit nga njëra-tjetra dhe të bashkëpunimit praktik ndërmjet bashkive. “Qeverisja vendore është gjithnjë e më shumë në vijën e parë të adresimit të çështjeve që lidhen me qeverisjen mjedisore, ofrimin e shërbimeve vendore dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Bashkitë, shpesh, mësojnë më mirë nga përvojat e bashkive të tjera që përballen me sfida të ngjashme”, tha ai.
Në Lushnjë, pjesëmarrësit u njohën me përvojën e bashkisë në zhvillimin rural, mbështetjen për bujqësinë dhe nismat e krijimit të Shoqërisë Bujqësore të Përbashkët. Stafi teknik i Bashkisë Lushnjë prezantoi modele të qeverisjes bujqësore, mekanizma financimi nga sektori privat dhe mësimet e nxjerra nga zbatimi i tyre. Diskutimet u pasuan nga vizita në terren, të cilat u mundësuan pjesëmarrësve të vëzhgonin shembuj praktikë dhe të shqyrtonin mundësitë për përshtatjen e qasjeve të ngjashme në bashkitë e tyre.
“Bashkitë janë më të forta kur mësojnë nga njëra-tjetra, kur ndajnë përvojat e tyre dhe ndërtojnë së bashku qasje të përqendruara te qytetarët”, tha Adelina Farrici, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë.
Dita e dytë, në Berat, iu kushtua qeverisjes mjedisore dhe menaxhimit të mbetjeve bashkiake. Pjesëmarrësit u njohën me përvojën e bashkisë në ndarjen e mbetjeve në burim dhe vizituan impiante riciklimi dhe pika operacionale të grumbullimit dhe menaxhimit të mbetjeve të riciklueshme. Diskutimet u përqendruan tek organizimi institucional, modelet e ofrimit të shërbimeve, ndërgjegjësimi i publikut dhe hapat praktikë të nevojshëm për zbatimin e tyre.
“Riciklimi nuk është thjesht një shërbim. Ai është një kulturë e re që po e ndërtojmë së bashku me qytetarët e Beratit. Çdo copë plastike që drejtohet drejt riciklimit është një hap konkret drejt një qyteti më të pastër dhe një ekonomie qarkulluese në përputhje me standardet evropiane”, tha kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Ceca.
Gjatë gjithë aktivitetit, përfaqësuesit e bashkive punuan së bashku për të identifikuar elemente që mund të transferohen dhe përshtaten sipas konteksteve vendore, si dhe nisën përgatitjen e veprimeve pasuese të përshtatura me nevojat e Dibrës dhe Memaliajt. Shkëmbimi kontribuoi edhe në forcimin e rrjeteve profesionale ndërmjet stafit bashkiak dhe në krijimin e një baze për bashkëpunim afatgjatë.
Mësimet e nxjerra nga kjo fazë pilot do të kontribuojnë në zhvillimin e një modeli të strukturuar dhe të riprodhueshëm të bashkëpunimit ndërmjet bashkive në Shqipëri, si dhe do të mbështesin angazhimin e ardhshëm me rrjetet evropiane të bashkive.
Prezenca e OSBE-së e organizoi vizitën në bashkëpunim me bashkitë Lushnjë, Berat, Dibër dhe Memaliaj, Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Shoqatën Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë dhe Shoqatën e të Zgjedhurve Vendorë. Kjo veprimtari është pjesë e projektit të Prezencës “Forcimi i kapaciteteve të qeverisjes vendore dhe përmirësimi i qeverisjes mjedisore në Shqipëri – Faza II” dhe mbështetet në përkrahjen afatgjatë të OSBE-së për forcimin e qeverisjes vendore, menaxhimin e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm në nivel vendor.