News Item
Delegacioni shqiptar i nivelit të lartë njihet me përvojën e Zvicrës me referendumet, gjatë vizitës së organizuar nga Prezenca e OSBE-së
- Issued on:
- Lëshuar nga:
- OSCE Presence in Albania
Për të mësuar nga përvoja e gjatë dhe e konsoliduar e Zvicrës me referendumet, nismat qytetare dhe kornizën e demokracisë së drejtpërdrejtë, Prezenca e OSBE-së mbështeti një vizitë studimore me karakter krahasues të një delegacioni të nivelit të lartë nga Shqipëria, në Bernë, më 8 dhe 9 qershor 2026.
Deputetë, anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese zhvilluan takime me Parlamentin Federal, Kancelarinë Federale, Kancelarin e Kantonit të Bernës dhe përfaqësues të Komitetit Vendor të Referendumit, si edhe me ekspertë të njohur akademikë në fushën e referendumeve.
Ata u njohën me hartimin dhe zbatimin e mekanizmave të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe diskutuan raste praktike nga proceset e fundit referendare si në nivel federal, ashtu edhe në nivel kantonal. Shkëmbimi i perspektivave mbi pragjet e vlefshmërisë së referendumeve, kuadrin rregullator ligjor, procedurat e nisjes së tyre, bashkërendimin ndërinstitucional, aksesin në media, rregullat e fushatës dhe mekanizmat e ankimit ishin ndër temat e trajtuara gjatë takimeve.
Duke ndërthurur perspektivat institucionale, shembujt praktikë dhe analizën e ekspertëve, vizita ofroi një mundësi të shkëlqyer për të identifikuar praktika të mira që mund të përshtaten me kontekstin shqiptar, si edhe për të nxitur bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve shqiptare dhe zvicerane që punojnë për forcimin e pjesëmarrjes demokratike dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrjen publike.
Vizita u organizua si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri”, i cili mbështetet nga Suedia, Zvicra, Misioni i Shteteve të Bashkuara në OSBE dhe Polonia.