Skip Links

News Item

Prezenca e OSBE-së mbështet Shqipërinë në forcimin e masave ndaj trafikimit për shfrytëzim në punë

Issued on:
Lëshuar nga:
OSCE Presence in Albania, Office of the Special Representative and Co-ordinator for Combating Trafficking in Human Beings
Fields of work:
Lufta kundër trafikimit të personave

Trafikimi i personave për shfrytëzim në punë mbetet një nga format më të ndërlikuara dhe më pak të dukshme të trafikimit. Forcimi i kapaciteteve të Inspektoratit Shtetëror të Punës për të identifikuar treguesit e hershëm, për të siguruar respektimin e standardeve të punës dhe për të mbështetur përgjigje të bashkërenduara është thelbësor për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimin e qeverisjes së tregut të punës, në përputhje me përparësitë kombëtare.

Për të mbështetur këto përpjekje, më 27 mars 2026, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Zyra e Përfaqësueses së Posaçme dhe Koordinatores së OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe Inspektorati Shtetëror i Punës organizuan një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të institucioneve, sektorit privat dhe shoqërisë civile.

“Trafikimi i qenieve njerëzore për shfrytëzim në punë nuk është më vetëm një çështje ligjore. Ai po bëhet një çështje e aksesit në treg, ndërsa Shqipëria integrohet më thellë në tregun evropian. Me vijimin e rritjes, është thelbësore të forcohet mbrojtja për punëtorët, përfshirë punëtorët migrantë,” tha Kari Johnstone, Përfaqësuese e Posaçme dhe Koordinatore e OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

Pjesëmarrësit diskutuan qasje praktike për përmirësimin e inspektimeve dhe promovimin e dialogut me bizneset mbi praktikat e përgjegjshme për të parandaluar shfrytëzimin, në veçanti të punëtorëve migrantë.

“Shqipëria po bëhet një destinacion i rëndësishëm për turizmin, ndërkohë që po tërheq një fuqi punëtore të huaj në rritje, duke krijuar si mundësi ashtu edhe përgjegjësi,” tha Clarisse Pasztory, zëvendëskryetare e Prezencës së OSBE-së.

Gjatë viteve të fundit, Inspektorati Shtetëror i Punës ka forcuar rolin e tij proaktiv në parandalimin e trafikimit për shfrytëzim në punë. Prezenca e OSBE-së po mbështet Inspektoratin për të integruar më tej treguesit e rrezikut të lidhur me trafikimin në praktikat e inspektimit dhe për të forcuar kontributin e tij në identifikimin e hershëm dhe parandalimin e shfrytëzimit në punë.

“Roli i inspektimit të punës po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm me rritjen e lëvizshmërisë dhe migracionit. Inspektimi nuk është thjesht një punë rutinë, por një proces që kërkon aftësi për të identifikuar treguesit e trafikimit”, tha Kryeinspektori Eljo Muçaj.

Tryeza u zhvillua si pjesë e projektit të Prezencës “Forcimi i kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe ndjekjes penale në Shqipëri dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, i cili financohet nga Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Irlanda dhe Italia.


Contacts

Joana Karapataqi

National Public Affairs and Reporting Officer

OSCE Presence in Albania

Office of Head of Presence

Mak Albania Hotel, 1st Floor
Sheshi "Italia"
Tirana
Albania